92 - Suretu El Lejl
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
 (1) Për natën që mbulon (me terr),
(2) për ditën që agon
(3) dhe për Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën!
(4) Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme.
(5) Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai)
(6) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit),
(7) Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.
(8) Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm,
(9) dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin),
(10) Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit,
(11) e, kur të hidhet (në zjarr), pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi.
(12) Neve na përket që t’ua tregojmë rrugën e drejtë,
(13) dhe, me të vërtetë, e Jona është ajo botë dhe kjo botë!
(14) Prandaj Unë ju kam tërhequr vërejtjen me një zjarr që flakëron,
(15) ku do të hidhet vetëm më i keqi,
(16) që ka mohuar dhe është larguar nga besimi.
(17) E do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi (që ruhet nga gjynahet),
(18) që e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten
(19) dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë,
(20) por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit.
(21) Dhe ai, me siguri, do të jetë i kënaqur!