99 - Suretu Ez Zelzele
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
(1) Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit),
(2) kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj[418]
[418] Pra, kur të nxjerrë kufomat e të vdekurve që janë varrosur në të.
(3) e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!”
(4) Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj,[419]
[419] Ashtu si të gjitha krijesat, edhe Toka do të dëshmojë për veprat e njerëzve.
(5) sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë.
(6) Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre:
(7) kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë,
(8) e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.[420]
[420] Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë se dy vargjet përmbyllëse të kësaj sureje janë më frikësueset e të gjithë Kuranit.