87 - Suretu El A’la
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
(1) Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit,
(2) që ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjesëtuar drejt;
(3) që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën;
(4) që bën të rriten kullotat
(5) dhe pastaj të shndërrohen, të thahen e të vyshken.
(6) Ne do të të bëjmë ty (Muhamed) të lexosh (Shpalljet Tona), kështu që nuk ke për të harruar,
(7) përveç asaj që do Allahu. Vërtet, Ai e di të dukshmen dhe çka është e fshehtë.
(8) Do të ta lehtësojmë ty rrugën e drejtë,
(9) prandaj këshillo, nëse këshilla do të jetë e dobishme!
(10) Asaj do t’ia vërë veshin ai që (i) frikësohet (Allahut),
(11) e do t’i shmanget vetëm më i keqi,
(12) i cili do të digjet në zjarrin e madh,
(13) ku as nuk do të vdesë, as nuk do të jetojë.
(14) I shpëtuar është ai që pastrohet,
(15) që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!
(16) Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote,
(17) ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar.
(18) Kjo, me të vërtetë, ndodhet në Fletët e lashta,
(19) në Fletët e Ibrahimit dhe Musait.