أحمد محمد لبن Ahmad.M.Lbn مؤسس ومدير المنتدى
عدد المساهمات : 52644 العمر : 72
| موضوع: 102 - Suretu Et Tekathur الخميس 27 أكتوبر 2022, 12:21 am | |
| 102 - Suretu Et Tekathur Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar[425], [425] Pra, rivaliteti për të shtuar pasurinë, famën, pushtetin etj. (2) derisa të shkoni në varre. (3) Gjithsesi, do ta merrni vesh! (4) Madje, së shpejti do ta merrni vesh! (5) Kujdes! Ah, sikur ta dinit të vërtetën me siguri! (6) Sigurisht që do ta shihni Zjarrin flakërues! (7) Pastaj, me të vërtetë, do ta shihni atë me syrin e sigurisë. (8) Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)!
103 - Suretu El Asr Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Për kohën![426] [426] Allahu i Madhëruar është betuar për kohën, sepse ajo është një nga krijesat më madhështore të Allahut dhe për shkak të rëndësisë që paraqet ajo në jetën e njeriut. (2) Me të vërtetë, njeriu është në humbje, (3) përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.[427] [427] Sa më shumë që koha kalon, aq më tepër njeriu i afrohet humbjes, nëse nuk plotëson katër kushte që kanë të bëjnë me përsosjen e tij personale dhe përsosjen e të tjerëve: besimi tek Allahu dhe te gjithçka që ai ka urdhëruar të besohet; kryerja e veprave të mira, qofshin këto vepra fizike apo shpirtërore; këshillimi i të tjerëve me këtë të vërtetë dhe këshillimi i tyre që të durojnë në përpjekjen e tyre për t’iu përmbajtur urdhrave të Allahut dhe për të duruar sprovat e dhembshme dhe të vështira që mund të ketë paracaktuar Ai.
104 - Suretu El Hemze Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Mjerë për çdo përqeshës - shpifës, (2) që grumbullon pasuri dhe e ruan, (3) duke menduar se ajo pasuri do ta bëjë të pavdekshëm! (4) Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në torturën shkatërruese. (5) E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura shkatërruese? (6) Ajo është zjarri i Allahut i ndezur fort, (7) i cili depërton deri në zemrën e njeriut. (8) Ai do t’i rrethojë ata nga çdo anë, (9) në shtylla të gjata flakëruese.[428] [428] Kuptimi i saktë i këtij vargu nuk është i qartë as për komentuesit më autoritarë. Mund të bëhet fjalë për shtyllat e Xhehenemit, në të cilat do të prangosen njerëzit e këqij.
105 - Suretu El Fil Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit?[429] [429] Në vitin 570 (ose 571), Ebreha, guvernatori abisinas i Jemenit, u betua se do të shkatërronte Qabenë, të cilën e quante një tempull pagan, në mënyrë që të vendoste dominimin e krishterë në të gjithë Gadishullin Arabik. Ai mblodhi një ushtri të fuqishme, në krye të së cilës marshonte një elefant i madh dhe u drejtua për nga Meka. Kur ushtria iu afrua Mekës, elefanti u ul dhe nuk pranonte të ecte në atë drejtim. Kur i ndërronin drejtim, ai ecte. Kjo ishte shenjë që ushtria e Ebrehasë të mos e sulmonte Mekën, por Ebrehaja s’ia vuri veshin asaj. Prandaj, Allahu i Madhëruar i goditi ashpërsisht njerëzit e elefantit nëpërmjet tufash të panumërta me zogj, që lëshonin një lloj guri të fortë e vdekjeprurës. Morali ishte i qartë për fisin Kurejsh: Allahu i Madhëruar e kishte mbrojtur Faltoren e Tij, ashtu edhe ata vetë, prandaj duhej të ishin mirënjohës për këtë. (2) A nuk ua prishi atyre kurthin, (3) duke dërguar kundër atyre tufa zogjsh, (4) të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur? (5) Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë.
106 - Suretu Kurejsh Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) (Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh,[430] [430] Sipas disa komentuesve, përmbajtja e kësaj sureje është e lidhur ngushtë me suren e mëparshme, duke lënë të nënkuptohet se shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri për të mbrojtur kurejshët. (2) për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.[431] [431] Struktura ekonomike mbi të cilën ishte ngritur mirëqenia e kurejshëve të Mekës, bazohej në dy situata tregtare: njëra ishte pelegrinazhi i përvitshëm, që sillte në Mekë të gjithë arabët e Gadishullit Arabik, kurse tjetra ishte udhëtimi i dy karvanëve vjetorë, njëri drejt Jemenit gjatë dimrit dhe tjetri drejt Shamit (sot Siria, Palestina, Libani dhe Jordania) gjatë verës. Pozicioni qendror i Mekës ndërmjet Mesdheut dhe Oqeanit Indian dhe aftësitë e jashtëzakonshme të tregtarëve kurejshë, bënë që këta dy karvanë të ktheheshin në pikëmbështetjen e të gjithë aktivitetit ekonomik të qytetit. (3) Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), (4) i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.
107 - Suretu El Maun Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) A e ke parë atë që mohon Ditën e Llogarisë? (2) Ky është ai që i dëbon ashpër jetimët (3) dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit. (4) Mjerë për ata, të cilët kur falen, (5) janë të pakujdesshëm për namazet,[432] [432] Sipas komentuesve të Kuranit, vargjet 4-5 bëjnë fjalë ose për hipokritët, të cilët falen vetëm kur janë me të tjerët dhe jo kur janë vetëm, ose për ata besimtarë që nuk falen rregullisht, por që e falin namazin jashtë kohës së tij apo e falin përgjithësisht në fund të kohës së tij, duke mos i kryer si duhet rregullat e tij dhe pa qenë të përqendruar në të. Gjithsesi, kërcënimi i përfshin të gjitha këto kategori, por, atij që bën vetëm një pjesë prej këtyre veprave, i takon vetëm një pjesë prej kërcënimit, ndërsa atij që i bën të gjitha këto, i takon i plotë kërcënimi. (6) të cilët duan vetëm që të duken (7) dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve.
108 - Suretu El Kevther Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira,[433] [433] “shumë të mira”: në tekstin origjinal thuhet “el Keuther”. Kjo fjalë, sipas disa transmetimeve, tregon një lumë në Xhenet, të cilin Allahu i Madhëruar ia ka premtuar si dhuratë Profetit Muhamed (a.s.), për ta kompensuar dhe ngushëlluar për gjithçka që ka hequr për çështjen e Tij. Komentet tradicionale thonë se ajo tregon pozitën e Profetit (a.s.) në Xhenet, ku do të vendoset në vendin më të lartë (el uesile) dhe do të kënaqet me mirësitë e dritës hyjnore. (2) andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban![434] [434] Ky varg është shumë i rëndësishëm për sa i përket praktikës së ritualeve në ditën e Kurban Bajramit, e cila festohet në ditën e dhjetë të haxhillëkut dhe kujton provën, në të cilën Allahu i Madhërishëm vuri Ibrahimin (a.s.). Vargu përshkruan radhën e kryerjes së riteve: në fillim falet namazi i Bajramit, pastaj theret kurbani. (3) Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.[435] [435] “fatprerë”: në tekstin origjinal thuhet “ebter”, që do të thotë “pa bisht”. Kjo shprehje ishte epitet ironik që arabët ia vinin dikujt që nuk kishte djem. Sipas disa transmetimeve, biri i Profetit Muhamed (a.s.), Kasimi, vdiq në një moshë fare të njomë dhe, për këtë, një nga armiqtë e Profetit (a.s.) e quajti atë fatprerë, duke aluduar se edhe feja që ai predikonte, do të ishte e tillë
109 - Suretu El Kafirun Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Thuaj: “O ju jobesimtarë! (2) Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni (3) dhe ju nuk jeni adhurues të Atij që unë adhuroj. (4) Unë nuk do të jem kurrë adhurues i atyre që ju i adhuroni (5) dhe as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë adhuroj![436] [436] Vargu flet për ata jobesimtarë që Allahu e di se nuk do të besojnë asnjëherë. (6) Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time!”
110 - Suretu En Nasr Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)[437] [437] Kjo ishte surja e fundit që iu dha Profetit (a.s.), duke mbyllur kështu një cikël shpalljesh që zgjaste prej njëzet e tre vjetësh. Ajo ishte shpallja e fitores së përgjithshme të Islamit mbi mosbesimin dhe e kthimit masiv në Islam të të gjithë Arabisë. Kur Muhamedi (a.s.) mori këtë shpallje, e kuptoi se Zoti i tij i Madhëruar po e paralajmëronte për ndarjen e afërt nga kjo botë dhe për këtë lajmëroi të afërmit e tij më të ngushtë. Gjatë gjithë kohës që parapriu vdekjen e tij tokësore, Profeti (a.s.) thoshte vazhdimisht në namazet e tij: “Subhânekall-llâhumme rabbena ue bihamdik. All-llahumme gfir li” (I Lartësuar qofsh, o Zoti im, dhe i Falënderuar. O Zot, më fal!). (2) dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, (3) atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.
111 - Suretu El Mesed Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Iu thafshin duart Ebu Lehebit[438] dhe u thaftë në gjithçka! [438] Ebu Leheb (Babai i flakës) ishte nofka e Abdul ‘Uzza-s, birit të Abdul Muttalibit, pra, xhaxhait të Profetit (a.s.). Kur u bë kryetar i fisit të Hashimive, pas vdekjes së Ebu Talibit, ai refuzoi ta vazhdonte mbrojtjen fisnore për Muhamedin (a.s.) dhe e la atë të ekspozuar ndaj armiqësisë së idhujtarëve. (2) Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera.[439] [439] Ebu Lehebi tallej me Profetin (a.s.), duke thënë: “Nëse është e vërtetë ajo që thotë nipi im, unë kam mjaft pasuri dhe djem, sa për të paguar shpërblesën time”. (3) Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara, (4) po ashtu edhe gruaja e tij[440], që mbart drutë e zjarrit, [440] Ajo quhej Umm Xhumejl bint Harb dhe kishte një rol kryesor në armiqësinë që burri i saj ushqente ndaj nipit të tij, Profetit (a.s.). Ajo ishte motra e Ebu Sufjanit, që në atë kohë do të udhëhiqte luftën e idhujtarëve kundër myslimanëve. Me mllefin e saj, ajo hidhte përreth shtëpisë së Muhamedit (a.s.) ferra dhe gjemba, me shpresën që ai të lëndohej gjatë kthimit në shtëpi natën. (5) në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.
112 - Suretu El Ihlas Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! (2) Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.[441] [441] Ky është përkthimi i emrit të Allahut “Es-Samed”, që ndër të tjera ka edhe kuptimet, “Ai që ka njëshmërinë absolute” “I Përjetshmi” dhe “I Papërshkueshmi”, pra, Ai që nuk ka brendësi. (3) Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. (4) Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”
113 - Suretu El Felek Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit, (2) që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar (3) dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri (4) dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)[442] [442] Vargu bën fjalë për një formë magjie të zezë, që praktikohej shumë në Arabinë paraislamike. (5) dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.”[443] [443] Syri i keq që vjen si pasojë e smirës, është, sigurisht, një nga format me ndikim më të fortë negativ që mund të gjenden. Nuk mund të mohohet se, ky është një instrument të cilin e përdor shejtani për të realizuar ndikime të ndryshme dhe të rënda te njerëzit: tek ata që e pësojnë, pa i kuptuar dhe pa i njohur shkaqet e “shqetësimit” të tyre; tek ata që përpiqen ta shërojnë “syrin” me praktika të tjera magjike dhe tek ata që e shkaktojnë, duke u bërë kështu bashkëpunëtorë objektivë ose subjektivë të intrigave djallëzore kundër njerëzimit. Për t’u ruajtur nga shejtani, shërben lutja “E‘ûdhu bil-lâhi min-esh shejtân-irr raxhîm” (Strehohem tek Allahu kundër shejtanit të mallkuar), por është mirë të kujtohet edhe vargu 99 i sures 16 “në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre”. 114 - Suretu En Nas Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit (1) Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve,[444] [444] Sipas disa transmetimeve nga Ibn Abbasi dhe Aishja, një magjistar hebre me emrin Lebid që jetonte në Medinë, ishte ngarkuar t’i bënte Profetit Muhamed (a.s.) një magji vdekjeprurëse. Magjistari arriti të siguronte disa fije nga flokët e Profetit (a.s.) dhe me to bëri njëmbëdhjetë nyje. Bijat e tij frynin në secilën prej këtyre nyjave, duke thënë mallkime të frikshme. Pastaj, magjinë e mbështollën, duke i shtuar një filiz palme hurmash dhe e hodhën në një pus. Profeti (a.s.) filloi të ndiente shqetësime të çuditshme si: humbje të kujtesës, dobësi, humbje të oreksit etj. dhe gjendja e tij po përkeqësohej, derisa Allahu i Madhëruar ia zbuloi në ëndërr shkakun e shqetësimeve të tij dhe vendin, ku ishte fshehur magjia. Kur Profeti (a.s.) u zgjua, atij i erdhi Xhebraili (a.s.) dhe i dha dy sure, njëra me pesë vargje dhe tjetra me gjashtë. Profeti (a.s.) dërgoi Aliun te pusi me detyrën për të lexuar këto dy sure. Ndërsa ai lexonte suret, nyjat zgjidheshin njëra pas tjetrës dhe Muhamedi (a.s.) rifitonte forcat dhe kthjelltësinë e humbur. Dy suret në fjalë janë ato me të cilat mbyllet Kurani i Madhërishëm. Këto sure kanë një rëndësi të madhe rituale dhe myslimanët i recitojnë ato shpesh për t’u ruajtur nga çdo e keqe, fizike apo shpirtërore qoftë. (2) Sundimtari i njerëzve, (3) i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, (4) nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) (5) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (6) (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!”
|
|