94 - Suretu Esh Sherh
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
 (1) Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar besimin)
(2) dhe ta hoqëm barrën[412],
[412] Sipas Taberiut, vargu do të thotë: “A nuk të kemi dëlirur nga çdo gjynah?!”
(3) e cila ta rëndonte tepër kurrizin,
(4) dhe ta ngritëm lart emrin?![413]
[413] Është e sigurt se asnjë njeri në botë nuk ka bërë më shumë emër sesa Profeti Muhamed (a.s.). Më se një miliardë myslimanë përmendin emrin e tij përditë, duke u lutur për të në namazet e tyre. Nga mijëra e mijëra minare, myezinët thërrasin emrin e tij pesë herë në ditë. Arritjet e misionit të tij shpirtëror, moral, juridik e politik janë tërësisht të gjalla dhe aktive edhe katërmbëdhjetë shekuj pas ndarjes së tij nga kjo botë dhe do të zgjasin, në dashtë Allahu, deri në Ditën e fundit të jetës tokësore dhe, në vazhdim, në jetën e amshuar.
(5) Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi!
(6) Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi!
(7) Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim)
(8) dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!