93 - Suretu Ed Duha
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
 (1) Betohem në shkëlqimin e paradites
(2) dhe në natën kur erret e qetësohet,
(3) se Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o Muhamed)![410]
[410] Kjo sure i është shpallur Muhamedit (a.s.) pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje të Shpalljes Hyjnore, gjatë së cilës Profetit (a.s.) i është dashur të durojë shpotitë e jobesimtarëve dhe talljet e armiqve të tij më të këqij. Gruaja e xhaxhait të tij, Ebu Lehebit, e tallte, duke i thënë: “Zotëria yt të ka braktisur”.
(4) Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë,
(5) e, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur.
(6) A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë?
(7) A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi?
(8) A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt?
(9) Prandaj, mos e shtyp jetimin,
(10) lypësin mos e shtyj me ashpërsi
(11) dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd![411]
[411] Dhuntitë më të mëdha që Allahu i Madhëruar i ka falur Muhamedit (a.s.), janë Kurani dhe Profecia. Kjo tregon qartë se çfarë dhuntish duhej të shpallte Profeti (a.s.).