88 - Suretu El Gashije
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
(1) A ke dëgjuar për Ngjarjen Gjithëpërfshirëse (Kiametin)?
(2) Atë Ditë do të poshtërohen fytyra njerëzish,
(3) që kanë punuar e janë rraskapitur (duke bërë të këqija në këtë botë).
(4) Ata do të digjen në zjarr të nxehtë
(5) e do të pinë nga burime të valuara.
(6) Për ata nuk do të ketë tjetër ushqim, përveç ferrave helmuese,
(7) të cilat as nuk do t’i mbajnë, as nuk do t’ua shuajnë urinë.
(8) Atë Ditë, fytyrat e disave do të jenë të gëzuara,
(9) të kënaqura për punët e bëra.
(10) Ata do të jenë në kopshtin e lartë,
(11) në të cilin nuk do të dëgjojnë fjalë boshe.
(12) Atje ka një burim rrjedhës uji
(13) dhe divane të ngritura,
(14) ka kupa të vëna (për t’u mbajtur në dorë)
(15) dhe jastëkë të renditur,
(16) si dhe shumë qilima të shtruar.
(17) Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?!
(18) Po qiellin, se si është ngritur?!
(19) Po malet, se si janë vënë të patundur?!
(20) Po Tokën, se si është shtrirë?!
(21) Prandaj këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues
(22) dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!
(23) Sa për ata që shmangen dhe nuk besojnë,
(24) Allahu do t’i ndëshkojë me dënimin më të madh.
(25) Pa dyshim, ata do të kthehen të gjithë tek Ne
(26) dhe patjetër që do të japin llogari para Nesh!